Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, përmes një statusi në Facebook, denoncon numrin e reduktuar të pacientëve që duhet të operohen në një muaj në spitalin e Durrësit.
Spahia publikon një shkresë të firmosur nga drejtoresha e spitalit rajonal Nadire Jani, drejtuar shefit të kirurgjisë, vartësit të saj, ku theksohet se gjatë një muaji duhet të operohen gjithsej 155 pacientë, nga të cilët vetëm 65 duhet të jenë të planifikuar.
Në shkresë (në foton poshtë) gjithashtu nënvizohet se sipas planifikimit të ardhur nga Drejtoria Rajonale e FSDKSH “nëse numri i ndërhyrjeve urgjente në një muaj rezulton më shumë nga planifikimi si dhe më shumë sesa buxheti mujor i planifikuar, shefi i shërbimit duhet të ndryshojë numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale urgjente”.
Sipas ish-deputetit Spahia, me profesion mjek, kjo çmenduri logjike, siç e quan ai, e ka burimin tek koncesioni korruptiv i sterilizimit të instrumentave mjekësore.
“Edhe për ndërhyrjet më të vogla që kërkojnë 2-3 instrumenta, koncesionari i sterilizimit ofron vetem setin me të paktën 30-40 vegla, pra 10 fishin e veglave që nevojiten. Normal, kjo ka cuar ne rritjen e kostos së sterilizimit shumëfish, përtej cdo parashikimi.” – shkruan Spahia.
Një set i vogël me instrumenta kirurgjikale kushton rreth 100 euro, ndërsa seti i madh shkon rreth 200 euro. Vlera monetare e seteve ka rritur në mënyrë alarmante koston e sterilimit të instrumenteve dhe për këtë arsye Ministria e Sëndetësisë e ka gjetur zgjidhjen në dëm të pacientëve; reduktim i ndjeshëm i numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale.
Të mendosh që bashkia e Durrësit numëron mbi 300 mijë banorë dhe në spitalin rajonal të qytetit shtrohen pacientë dhe vijnë raste urgjente jo vetëm nga Durrësi, por edhe Shijaku, Kavaja e ndonjë rreth tjetër, të planifikosh vetëm 155 ndërhyrje kirurgjikale në muaj do të thotë të rrezikosh me jetën e pacientit.
Pra, nëse raste urgjente ka më shumë sesa 90 në muaj në spitalin e Durrësit, duhet të reduktohen automatikisht operacionet e planifikuara, pavarësisht se shëndeti i pacientit mund të varet drejtpërsëdrejti nga ndërhyrja kirurgjikale. Kjo nënkupton nga ana tjetër ta orientosh pacientin drejt spitaleve private, pavarësisht se ka 6 vite që trumbetohet në medie: Shëndetësia Falas!
“Koncesionari nuk preket e as kontrata skandaloze, por zgjidhja gjendet në kurriz të shëndetit të pacientëve: u vë plan sëmundshmërisë dhe kurimit!!! Pra qesja e taksave të shqiptarëve shqyhet për koncesionet dhe shtrëngohet për shëndetin e tyre! Deri tek shëndeti shkon makutëria e pandarë nga paaftësia epike!#TurpSkandaloz”,– shkruan ish-deputeti Spahia.
Rreth një muaj më parë, mjekët kirurgë të spitalit të Durrësit, lajmëruan gazetarët për një protestë që do të zhvillonin, por menjëherë ata u thirrën në mbledhje nga drejtoresha Jani dhe pasi dolën prej takimit askush prej tyre nuk deshi të prononcohej më. Protesta e tyre kishte lidhje pikërisht me këtë planifikim skandaloz që u imponohet, ku me një matematikë të thjeshtë i bie që në spital të bëhen vetëm 5 operacione në ditë!!!
Në një kohë që shteti ka para për të derdhur në xhepat e koncesionarëve që e kanë kapur shëndetësinë prej fyti, taksapaguesit shqiptarë nuk mund as të operohen nëse planifikimi mujor tejkalohet.
Skandali arrin deri aty sa arrihet të planifikohet edhe me jetën e të sëmurëve!!!
Statusi i plotë i ish-deputetit Bardh Spahia:
KONCESIONET MBI SHENDETIN
Vetëm 90 persona në muaj kanë të drejtë të kenë ndërhyrje kirurgjikale, sipas kësaj shkrese të ministrisë së shëndetësisë, ndërsa vetëm 65 të tjerë mund të planifikohen! Kjo cmenduri llogjike në fakt e ka burimin tek koncesioni korruptiv i sterilizimit të instrumentave mjekësorë. E kam denoncuar që në fillim, koston e koncesionarit për sterilizimin e tre niveleve të seteve të veglave (seti i madh me mbi 50 instrumenta me kosto rreth 200 euro, seti i mesëm me 40-50 instrumenta me kosto rreth 150 euro dhe seti i vogel me 30-40 instrumenta me kosto rreth 100 euro). Edhe për ndërhyrjet më të vogla që kërkojnë 2-3 instrumenta, koncesionari i sterilizimit ofron vetem setin me të paktën 30-40 vegla, pra 10 fishin e veglave që nevojiten. Normal, kjo ka cuar ne rritjen e kostos së sterilizimit shumëfish, përtej cdo parashikimi. Cfarë bën Ministria? Koncesionari nuk preket e as kontrata skandaloze, por zgjidhja gjendet në kurriz të shëndetit të pacientëve: u vë plan sëmundshmërisë dhe kurimit!!! Pra qesja e taksave të shqiptarëve shqyhet për koncesionet dhe shtrëngohet për shëndetin e tyre! Deri tek shëndeti shkon makutëria e pandarë nga paaftësia epike! #TurpSkandaloz
M.B.





