Thonë që libri është miku ynë më i mirë, por cili është i fundit që qytetarët e Durrësit kanë lexuar?
Një pyetje sa e sikletshme për ata që kopertinat iu kanë zënë merimanga edhe e dhimbshme për realitetin e hidhur që nxjerr në pah….
Të rinjtë zgjedhin të ngrenë duart lart, si për t’u shfajësuar për kohën që iu merr telefoni, interneti dhe shoqëria, ndërsa ata në moshë më të rritur nuk e kanë problem aspak të përgjigjen.
Dikush nuk e mban mend kur ka lexuar për herë të fundit, e dikush tjetër nuk ka asnjë autor të preferuar apo bibliotekë aty ku banon, e duke u ndalur te kjo e fundit, ka nga ata që nuk e dinë rrugën që të çon për në këtë institucion.
Detaje këto që tregojnë qartë raportin e njeriut të sotshëm me librin, raport mes të cilit ka hyrë dukshëm telefoni, i pandashëm nga duart e të rinjve sidomos.
Në vitin 2016, ministrja e Kulturës në atë kohë, Mirela Kumbaro shpalli tetorin-muajin e leximit, në mënyrë që të orientojë të rinjtë dhe jo vetëm drejt kulturës së të lexuarit, drejt kënaqësisë që të dhuron libri.
Kësaj nisme i është bashkuar edhe Biblioteka e Durrësit, e cila jo vetëm në tetor por gjatë gjithë vitit organizon një sërë aktivitetesh letrare.
Por pavarësisht këtyre përpjekjeve, për fat të keq është një përqindje e vogël njerëzish që zgjedhin të përthithin dije prej fletëve të librit.
Sigurisht që ky mendim nuk krijohet vetëm nga disa vox pope të marra në qendër të Durrësit, ndaj po sjellim në vëmendjen tuaj të dhënat e publikuara nga INSTAT në gushtin e 2018-ës, ku thuhej se mbi 1 milionë shqiptarë nuk kanë arritur të lexojnë asnjë libër në harkun kohor të një viti.
G.D.





