Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se zbulimi i celulës terroriste iraniane u bë tani, pasi i duhet kryeministrit Edi Rama për të tërhequr vëmendjen nga vendimi negativ i Bashkimit Evropian për mos hapjen e negociatave.

"Celula u zbulua tani, sepse tani i duhet Edi Ramës. I duhet Ramës për të tërhequr vëmendje nga negociatat. Përpiqet të sajojë histori të tjera, që do të thotë se ka gërrmuar e gërrmuar dhe iu nxori këtë të terroristëve. Qëllimi i tij ky është, të tërheqë vëmendje nga negociatat. Ishallah nuk del Ardi Veliu nesër të thotë se janë parë UFO në Kukës", tha Paloka.

Megjithatë, është një ngjarje e madhe, nëse do të ndodhte një sulm terrorist …

"Absolutisht. Por, del sot sepse i duhet Edi Ramës, që të krijojë panik dhe ankth te qytetarët, që t’iu thotë të mos merren me gjërat e përditshme, buka e gojës, spitalet, shkollat, se ka gjëra më madhore. Sa herë ka pas skandale, Rama përpiqet të gjejë kështu gjërash për të tërhequr vëmendje. Sigurisht me brekushe nuk tërheq dot vëmendje dhe nxori këtë grupin."