Ekspozita për traditën e detarisë shqiptare në vite mblodhi pasditen e së dielës në galerinë "Nikolet Vasia" në Durrës dhjetëra detarë durrsakë dhe ulqinakë, që në dekadat e fundit kanë punuar pranë flotës tregtare. Në ekspozitë ishin përfshirë materiale, dokumente, fotografi, piktura, botime për detarinë nga të gjitha trevat shqiptare në bashkëpunim edhe me shoqatën "Liburna" të Ulqinit.

Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, kreu i shoqatës "Adrijon", Aleksandër Gjermeni, ndërsa theksoi se qëllimi i ekspozitës është promovimi i detarisë shqiptare nga të gjitha trevat shqiptare, u ndal tek statusi i detarëve dhe mosha e daljes në pension. Duke bërë një krahasim me periudhën e para viteve 90, Gjermeni deklaroi se tani, ndryshe nga minatorët apo naftëtarët, detarët nuk gëzojnë status dhe dalin në pension 65 vjeç.

"Profesioni i detarisë është shumë i vështirë dhe shoqata jonë e ka ngritur shpesh zërin për statusin që duhet të gëzojmë, madje edhe në takim me deputetët e Durrësit, por kërkesat tona kanë rënë në vesh të shurdhër. Njëkohësisht, mungesa e një muzeu të detarisë është një tjetër penalizim për të gjithë ne, pasi gjithë kjo traditë e pasur nuk mund të ekspozohet dhe vizitohet nga të interesuarit",- tha Gjermeni.  

Gjatë fjalës së saj, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako theksoi se "disa nga shqetësimet e ngritura nga shoqata "Adrijon" janë apel për bashkinë dhe sigurisht që do të merren në konsideratë nga pushteti vendor."

I ftuar nderi në këtë ekspozitë, kryetari i Këshillit Komunal të Ulqinit, Ilir Çapuni, pasi falenderoi organizatorët deklaroi se është e pafalshme që ende sot shqiptarët në të dy trevat shqipfolëse nuk kanë një muze të detarisë.

Çapuni nënvizoi se kapiteni i parë i flotës shqiptare ka qenë një ulqinak dhe falenderoi për mikpritjen që u është bërë detarëve të persekutuar nga Ulqini, që zbarkuan në Durrës shumë dekada më parë dhe ndërtuan jetën dhe karrierën e tyre këtu.

M.B.