Deputetja demokrate Rudina Hajdari komenton largimin e saj nga drejtimi i grupit parlamentar të opozitës së re.

Ajo tha se opozita që është në parlament ka një mbështetje të fortë të ndërkombëtarëve dhe se ajo është faktorizuar, për të mbajtur këtë parlament në këmbë, për të çuar përpara reformën në drejtësi dhe sot të fokusohemi në gjërat që i interesojnë Shqipërisë, siç është hapja e negociatave.

Pikërisht për këtë temë tha se nëse nuk hapen, fajtorët janë Edi Rama dhe Lulzim Basha.

"Ju kujtoj se janë tre persona që kërkojnë spostimin tim, persona që nuk kanë dhënë asnjë kontribut parlamentar, nuk kanë bërë asnjë iniciativë legjislative. Është tentativë e imponuar e programuar shumë mirë nga këta tre persona, Korab Lita, Alban Zeneli dhe Arben Elezi. Këta tre persona vazhdojnë dhe vënë një presion të jashtëzakonshëm ndaj opozitës, këta nuk kanë për ta shkatërruar opozitën, pavarësisht se është tentativë nga jashtë, por opozita do të forcohet akoma më shumë, kemi një qëllim të vetëm. Edhe pse ata i druhen listave të hapura sepse dihet kush do të dalë sipër për të qenë në Kuvend, dihet se nuk do të dalin servilat nga garimi i drejtpërdrejtë. Që ne të ndryshojmë sistemin zgjedhor, kjo histori nuk do marrë fund, nëse kjo gjë mbytet nga këta dy persona kjo gjë nuk ka për të marrë fund", u shpreh Hajdari.