Grupi Parlamentar Demokrat duket se po kalon momente të vështira, pasi anëtarët janë përçarë dhe një pjesë e tyre kanë larguar Rudina Hajdarin nga kryesimi dhe kanë vendosur Korab Litën.

Prej pasdites, por dhe tani në mbrëmje deklaratat mes anëtarëve dhe kryetarëve e “ish-kryetarëve” janë shtuar. Rudina Hajdari reagoi për largimin e saj nga kryesimi i Grupit duke thënë se pavarësisht se çfarë kishin vendosur disa prej anëtarëve, kryetare ishte ajo. Si për tju kundërpërgjigjur, kryetar i ri Korab Lita publikoi dokumentin me firmat e anëtarëve dhe zëvendëskryetarëve, të cilët i kishin hequr kryesimin Hajdarit dhe ja kishin besuar atij.

Përçarja e Grupit Parlamentar Demokrat nis dhe zmadhohet dhe më shumë pikërisht te firmat e mësipërme, që zgjodhën kryetar Korab Litën. Zëvendëskryetar i Grupit Halit Valteri, i cili kishte firmosur për Korab Litën, është penduar dhe i ka dërguar një shkresë “përgënjeshtruese” Ruçit.

Valteri vë në dijeni Ruçin për ndryshimin e kryetarit të Grupit dhe bashkëngjitur i nis dhe shkresën me emrin e Korab Litës, ndërsa thekson se ai tërhiqet nga firma e vet. Vendimi për zëvendësimin e Rudina Hajdarit nga Korab Lita nuk është marrë thotë Vlateri, ndërsa përshkallëzon qëndrimin e vet duke i pohuar Ruçit se nëse vendimi merret, pra që kryetar të bëhet Korab Lita, ai së bashku me disa kolegë deputetë do të largohen nga grupi duke çuar në shpërbërjen e tij.