Krahas institucioneve të tjera (shkollat, komuna dhe qendra shëndetësore), Ish-Kënetës apo Durrësit të Ri vitet e fundit i është shtuar edhe një kopsht që i vjen në ndihmë prindërve me fëmijë të vegjël.
Së fundmi kryebashkiakja Valbona Sako ka vizituar kopshtin “Durrësi i Ri” i cili ka hapur dyert për 180 vogëlushë të kësaj zone.
Në një postim në Facebook, kryetari i njësisë administrative nr.6, Serjan Mazrreku ka ndarë disa foto gjatë vizitës së Sakos në ambientet moderne të kopshtit ku më të vegjëlit marrin njohuritë e para.
Kopshti, ndërtimi i të cilit është financuar nga Bashkimi Europian, ka 5 ambiente ku qëndrojnë fëmijët si dhe sallën e 6-të e cila shërben si çerdhe.
Kërkesat për të qenë pjesë e kopshtit apo çerdhes janë të shumta dhe kjo krijon nevojën për të tjera institucione të tilla në Ish-Kënetë, ku banojnë 43 mijë banorë të ardhur nga krahina të ndryshme.





