Në kuadër të operacionit të koduar "Magnum 2" kryer nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Durrës, u arrestua shtetasi Gentian Balla, 40 vjeç, nga Shijaku, i cilësuar nga unformat blu si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar më parë me 15 vite burg për vrasje.

Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e personit, policia ngriti pika kontrolli grackë dhe u bë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin lëvizte personi i dyshuar.

Në momentin që Policia ka ndërhyrë për të ndaluar automjetin, 40-vjeçari ka braktisur mjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap duke hedhur edhe armën e zjarrit në tokë, por është kapur dhe prangosur në flagrancë nga shërbimet e policisë, të cilat kishin ngritur perimetër sigurie për të mos lejuar largimin e tij.

Por kush është 40-vjeçari Gentian Balla?

Ai është dënuar me 20 vite burg, për një vrasje të kryer më 1997-n, më datë 08.02.2002 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës. Gentian Balla ka apeluar këtë vendim dhe ka kërkuar lirimin me  kusht.

Pas këtij apelimi, Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur ndryshimin e vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor dhe pranimin e kërkesës për lirim me kusht. Kjo ka sjellë që Balla të dalë 5 vite para nga burgu.

“Është provuar gjatë gjykimit të çështjes se kërkuesi Gentian Balla ka vuajtur më shumë se ¾ e dënimit në momentin e paraqitjes së kërkesës në zbatim të nenit 64 të Kodit Penal për përftimin e lirimit para kohe me kusht”, thuhet në vendim.

Prokuroria ka apeluar këtë vendim, por Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, duke e bërë lirimin me kusht të 40-vjeçarit, duke e lënë atë që të mos kryejë 5 vitet e fundit të burgut.