Mbështetur në kontributin dhe ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë zoti Luan Dauti, {kryedispecer i portit Durrës}, në pritjen dhe akomodimin e anijeve të NATO-s, që janë bregëzuar në portin e Durrësit, Zv/Komandanti i Forcës Detare, Kapiten i Rangut të I-rë, Artur Mecollari, i akordoi atij “CERTIFIKATË MIRËNJOHJE”. Certifikata ju dorëzua ditën e djeshme në praninë edhe të disa kuadrove të shtabit të Forcës Detare.
Jo vetëm kaq, por zoti Luan meriton vlerësime për punën që kryen në portin e Durrësit në vijimësi, me të gjitha anijet që përpunohen në portin më të madh të vendit.
I thjeshtë, komunikues, gjithmonë në krye të detyrës e të punëve të përditëshme, bashkëpunues me operatorët shtetërorë e privatë, Luani është modeli i një drejtuesi korrekt e të aftë profesionalisht.
Gjithashtu me punën e tij ai po përpiqet që si qytetar e specialist i portit, të ruajë e zhvillojë traditën familjare të babait të tij, Hysen Dauti, i cili për mëse 40 vjet kreu me nder detyra e punë të ndryshme në portin e Durrësit, bashkë me familjarë të tjerë.
Theksojmë se Komanda e Forcës Detare, po krijon një traditë të veçantë për të vlerësuar të gjithë ata qytetarë durrsakë, vlonjatë, sarandiotë, shëngjinas etj. që bashkëpunojnë ngushtësisht në përmbushjen e detyrave dhe misionit që ka Forca Detare.
Sh.K.





