1700 banesa në të gjithë bashkinë e Durrësit kanë pësuar dëme nga lëkundjet e tërmetit me magnitudë 5.8 ballë që tronditi Durrësin pasditen e së shtunës më 21 shtator. Qytetarët janë paraqitur në gjashtë njësitë administrative të bashkisë Durrës për të denoncuar dëmet e tërmetit, të cilat tashmë po verifikohen në terren nga grupet e verifikimit dhe ekspertët.

Gjergji Markola, përgjegjës i grupit të verifikimit, thotë se grupi e nis punën duke marrë listën e aplikantëve, adresën e tyre dhe së bashku me ekspertët klasifikojnë dëmet.

Sipas Markolës, vetëm grupi i tij ka skualifikuar disa pallate dhe banesa të cilat sipas tij janë të pabanueshme.

Dëmet më të mëdha janë regjistruar në lagjen 13, zona e Plazhit. Një pallat i tërë dhe kati dytë i një pallati tjetër në sektorin “Iliria” është shpallur i pabanueshem nga grupet e verifikimit, pasi konsiderohen të rrezishme. Ndërkohë, vetë banorët vazhdojnë të qëndrojnë në ambientet e brendeshme të banesave të tyre.

Po ashtu janë dëmtuar disa pallate tek Ura e Dajlanit, Drejtoria e Policisë, por nuk janë të pabanueshme, informojnë burime nga bashkia për “DurrësLajm”.

Procesi i konstatimit dhe i vlerësimit po vijon vetëm në rajonin nr.5 (që përfshin zonën e Plazhit, Shkozetit dhe lagjes nr. 17). Vetëm nga ky rajon ka 700 raportime nga banorët, që janë ende duke u verifikuar, zonë kjo që është dhe më e prekura. Ndërsa te njësitë e tjera ka mbaruar si proces vlerësimi.

Sa i takon ndihmave që mbërritën një ditë më parë në vendin tonë, “DurrësLajm” mëson se ndihmat janë dhënë nga 7 ambasadorë të BE-së, Italia dhe gjashtë vende të tjera. Ditën e sotme pritet të nisë shpërndarja e një pjesë të ndihmave në Manzë dhe Katund të Ri.