Kryeministri Edi Rama, ministrat dhe drejtorët pranë tij janë sulmuar shpesh se projektet e rrugëve, shkollave, godinave i kanë vetëm 3D. Dhe, shumica prej tyre vazhdojnë të jenë jo vetëm në letër, por edhe në video.

Por, edhe projektimi i këtyre projekteve në formatin 3D ka një kosto. Gazeta Shqip ka bërë një hulumtim të disa dokumenteve, të dala nga Drejtoria e Transportit Rrugor, e cila po realizon një tender me një fond prej 60 mijë eurosh. Objekti i këtij tenderi është “shërbim me video, animacione dhe promo” dhe burimi i financimit janë të ardhurat e brendshme të institucionit. Mësohet se kompania që do të fitojë ka një afat prej 30 ditësh për të kryer këto projektet 3D.

Sipas dokumenteve që disponon Gazeta Shqip, që mbajnë firmën e drejtorit të institucionit Blendi Gonxhe, rezulton se kërkohet që të xhirohet me kamera, një spot për 3D.

Xhirimet do të jenë në terren gjatë eventit nga një operator i specializuar dhe montazhi i materialeve bruto nga një specialist i fushës. Xhirimet duhet të bëhen në rezolucionin maksimal të mundshëm, që aktualisht është 4K, dhe cilësinë më të mirë në treg”, thuhet në këto dokumente, ku kërkohet që video të ketë karakter dokumentar dhe të ketë titra, tabela etj.

Madje, të këtë edhe një video të shkurtër për përdorim në rrjete sociale, maksimalisht 1 minutë, sipas parametrave të Instagram, Facebook etj.

Gjithashtu, ky institucion kërkon edhe shërbim fotografik dhe të gjitha fotot bruto duhet të kalojnë në një proces postproduksioni.

“Një numër prej minimalisht 200 fotografi të punuara duhet të garantohen për çdo event”, thuhet në këto dokumente. Më tej vijon se kërkohet edhe kamera për xhirim dhe dron. Dokumentet vijojnë se kërkohet shërbime grafike 2D dhe 3D si dhe kërkohet video animacione me karakter kryesisht edukues dhe sensibilizues për problematika të ndryshme. Të ngjashme me filmat vizatimorë, përcjellja e një mesazhi referuar publikut.

Gazeta Shqip ka kontaktuar disa studio xhirimi, grafike dhe post-produksioni, për të pyetur rreth çmimit të të ofertës, të vendosur nga Drejtoria e Transportit Rrugor për realizimin e këtij dokumentari. Sipas studiove, të gjitha këto shërbime të kërkuara, foto, video 3D, grafikë 2D, post-produksion etj, mund të realizohen brenda një buxheti maksimumi 10 mijë euro. Por qeveria ka vendosur të shpenzojë 6 fishin, për një projekt që do t'ia prezantojë publikut.

I gjithë “show” do të jetë me lekët e taksapaguesëve!

Burimi: Gazeta Shqip