Policia e Shtetit ka arrestuar në flagrancë kryeplakun e fshatit Peshtan, në Maliq pasi akuzohet për shpërdorim detyre dhe posedonte pa leje në banesë armë gjahu.

Në pranga ka përfunduar shtetasi me iniciale O.Ç., 55 vjeç, (me detyrë kryeplak i fshatit Peshtan, në Njësinë Administrative Moglicë).

Ky shtetas dyshohet të ketë shpërdoruar detyrën pasi, gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë kanë ushtruar në një zonë pyjore, në fshatin Peshtan, gjetën të kultivuara bimë të dyshuara narkotike.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e kryeplakut, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë gjahu çifte, të cilën e posedonte pa leje.

Nga ana e Policisë po punohet për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme hetimore.