Dy tragjedi të rënda kanë goditur ditë më parë familjen Neziraj nga Dobidoli i Rahovecit të Kosovës, azilkërkues në Zvicër.
Duke iu referuar burimeve familjare, albinfo.ch shkruan se më 21 shtator, djali 20-vjeçar Lirim (Hamëz) Neziraj, i sëmurë nga epilepsia dhe autizmi, ka humbur jetën nën rrotat e trenit në Oerlikon të Cyrihut.
Qendra e azilit ku banonte familja Neziraj ishte shumë afër binarëve të trenit dhe ndër pikat e rralla ku nuk ka të vendosur ndonjë mburojë.
Nga pikëllimi për humbjen e të birit, vetëm pesë ditë më vonë pëson sulm në tru dhe vdes edhe i ati, Hamëz Neziriaj i lindur në vitin 1967, ish-luftëtar i UÇK-së, veteran i luftës.
Tragjedia e rëndë e familjes Neziraj ka ngjallur dhimbje dhe ndjenjën e solidaritetit të bashkatdhetarëve tanë me qëndrim në Zvicër.
Kështu, pak pas ngjarjes ka nisur një aksion për grumbullimin e mjeteve për dërgimin e kufomave për varrim, në vendlindje.
Për shkak të statusit të tyre si azilkërkues, pjesëtarët e tjerë të familjes, nëna, një vajzë dhe një djalë, nuk lejohen të shkojnë në Kosovë për të marrë pjesë në varrim.





