Arbër Çekaj, pronari i kompanisë "Arbri Garden" në kontenierët e bananeve ku u gjetën 613 kg kokainë ka kërkuar gjykim të shkurtuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Edhe dy të pandehurit e tjerë Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku kanë kërkuar në gjykatë të procedohen me gjykim të shkurtuar.

Prokurori i çështjes, Ervin Kondili ka deklaruar se Arbër Çekaj kishte si qëllim eksportimin e drogës nga Kolumbia në Shqipëri. Ndërsa Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku janë përzgjedhur prej Çekaj për transportin e kokainës.

Nëpërmjet dy avokatëve te tij, Çekaj ka mohuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas avokatëve, kompania e tij kishte porositur banane dhe ato kishin ardhur të certifikuara si të pastra nga Kolumbia. 

Sipas avokatit, kontejneri duhet të ishte kontrolluar pasi ai të dilte nga magazina për të parë destinacionin fundor, ku do të shkonte lënda narkotike, ndërsa ndërhyrja e policisë me urdhër të prokurorisë ka prishur aksionin duke lënë në burg persona të pafajshëm. Mbrojtësit e Çekajt kërkuan një masë më të lehtë sigurie, e cila nuk u pranua nga gjykata.

Arbër Çekaj, është pronari i kompanisë "Arbi Garden" në kontejnerët e së cilës bashkë me bananet u zbuluan nga policia 613 kilogramë kokainë, sasia më e madhe e kapur e kësaj lënde narkotike.

Në pranga është menaxheri Donald Lushaj dhe Armando Pezaku, shoferi i kamionit që transportoi kontenierët me banane dhe kokainë drejt magazinave të "Arbri Garden" në Maminas ku u zhvillua dhe operacioni i arrestimeve nga policia që zbuloi kokainën me vlerë 180 milionë euro. 

Çekaj u shpall në kërkim dhe u arrestua disa muaj më vonë në Gjermani, e cila e ekstradoi në Shqipëri më 19 shtator.