Një koleksion me supermakina janë shitur në një ankand në Zvicër. Automjetet e shtrenjta i përkisnin djalit të Presidentit të Guinesë Ekuatoriale.
Automjetet u sekuestruan si pjesë e një hetimi ndaj Teodorin Nguema Obiang, djali i Teodoro Obiang Nguema, i cili qeveris Guinenë prej 40 vitesh.
Njëzetë e pesë makina u shitën për 27 milionë dollarë. Në mesin e tyre janë Lamborghini, Ferrari, Bentleys, Aston Martin dhe Rolls Royce. Një nga makinat më të rralla, Lamborghini Veneno Roadster, u shit për 8.3 milionë dollarë. Blerësi dëshironte të mbetej anonim.
Sipas një marrëveshje me prokurorët, 23 milionë dollarë të përfituara nga shitja e supermakinave do të përdoren për investime dhe projekte sociale në Guinenë Ekuatoriale, një ish-koloni e Spanjës dhe ku vitet e fundit varfëria është rritur ndjeshëm.
Ankandi tërhoqi vëmendjen e shumë koleksionistëve në mbarë botën. Shumica e tyre u shitën në Europë, por pati blerës edhe në Dubai.
Teodorin Nguema Obiang, i cili është edhe zv/President i Guinesë Ekuatoriale, po hetohet nga prokurorët zviceranë për pastrim parash dhe keqpërdorim të fondeve publike.
Megjithatë, hetimet ndaj tij u mbyllën pasi palët ranë dakord për shitjen e koleksionit të automjeteve dhe paratë do të investohen në Guine.





