Një javë pas tërmetit të së shtunës së 21 shtatorit, dëmet që ai la pas janë të dukshme në shumë godina në Durrës, madje, në disa raste, ato mund të vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Dëmtimet janë kryesisht më evidente në godinat e vjetra dhe të amortizuara.

Kryebashkiakja Valbona Sako njofton përmes një postimi në rrjete sociale se ka nisur puna për evitimin e komanduar të të gjitha dëmeve, kryesisht në godina të vjetra në qytet.

Aksioni është përqendruar në rrugën “Egnatia”, “Stefan Vokopola” dhe atë të Amfiteatrit.

“Ekipi ka filluar nga puna si rezultat i konstatimeve që janë paraqitur nga qytetarët pranë Njësive Administrative.

Shembje e oxhaqeve të dëmtuara që përbëjnë rrezik për qytetarët dhe heqjen e tjegullave dhe masave të betonit që janë gati në rënie përgjatë rrugës Egnatia, rrugës së Amfiteatrit dhe rrugës “Stefan Vokopola””,- shkruan Sako.