Prokuroria për Krimet e Rënda ka zgjeruar “hartën” e hetimit për personat e përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës që kaloi konteinerët nga Ekuadori në portin e Pireut e më pas në portin e Durrësit.
Krimet e Rënda kanë vënë nën hetim zyrtarët e Portit Durrësit, pasi grupi hetimor ka dyshime se autoritetet kanë dekonspiruar dhe kanë favorizuar grupin që priste drogën.
Nën hetim janë vënë edhe efektivët e policisë kufitare. Prokuroria ka sekuestruar kamerat e sigurisë, ku po verifikohen të gjitha lëvizjet në këtë port.
“Një operacion ndërkombëtar droge, i zhvilluar mes autoriteteve shqiptare dhe policisë greke nën bashkëpunimin e DEA-s amerikane, çoi në sekuestrimin e 137 kg kokainë. Lënda narkotike me origjine nga Ekuadori u prit në portin e Durrësit nga tre persona, prej të cilëve 2 u vunë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim”, njoftoi Policia e Shtetit, një ditë më parë
Në pranga ranë shtetasit Ardan Bega 53 vjeç dhe Altin Myslimhaka, 37 vjeç,që kishin për detyrë të nxirrnin drogën nga kontenierët e portit të Durrësit. Në kërkim është shpallur biznesmeni nga Durrësi, Gentian Malindi.





