Tërmeti 5.8 ballë i së shtunës dhe lëkundja që e pasoi prej 5.5 ballë ka lënë pas në Durrës jo vetëm banesa dhe biznese të dëmtuara rëndë, por edhe një shifër të lartë që do duhet për kompensimin e qytetarëve dhe riparimin e dëmeve.
4 milionë euro është vlera financiare e llogaritur deri më tani, një shifër e lartë kjo duke llogaritur që deri më tani Këshilli Bashkiak Durrës ka miratuar akordimin e fondit 10 milionë lekë për dëmet e shkaktuara nga tërmeti, ndërsa Këshilli Bashkiak i Tiranës dhuroi 20 milionë lekë.
Sot është mbyllur afati i raportimeve të qytetarëve pranë njësive administrative për dëmet që mund të kenë pësuar në banesa dhe në vazhdim pushteti vendor dhe strukturat shtetërore do të përcaktojnë procedurat që do të ndiqen për kompensimin e qytetarëve.
Vlen të kujtohet këtu se deri ditën e mërkurë, në Durrës dhe 5 njësitë administrative Katund i Ri, Manëz, Sukth, Rrashbull dhe Ishëm rezultonin 82 banesa dhe një pallat që janë shpallur të pabanueshëm, ndërsa 111 banesa janë të dëmtuara rëndë.
Bashkia e Durrësit ka dërguar në Këshillin e Ministrave vlerën totale të dëmit, e cila ka dalë nga konstatimet dhe përllogaritjet e bëra nga 16 grupet e vlerësimit që kanë qenë në terren.
Pas mbledhjes urgjente të Këshillit Bashkiak, kryebashkiakja Valbona Sako deklaroi se paratë e kompensimit do t’u kalohen banorëve në llogaritë e tyre bankare, në mënyrë që i gjithë procesi të jetë transparent.
M.B.





