Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot në shkollën "Shejnaze Juka", ku një i ri demokrat është futur si gazetar në shkollë dhe është përballur me deputeten Rudina Hajdari.
Në një postim në Facebook, Patozi akuzon kryedemokratin Lulzim Basha për këtë incident duke u shprehur se kjo është e vetmja gjë që u mbetet pas një serie të pashembullt revolucionesh të premtuara, të cilat nuk kanë shpërthyer kurrë.
STATUSI I PLOTË
NUK KANË FAJ, E DINË QË OPOZITA ËSHTË PRONË OSE LEJE NDËRTIMI
Janë më shumë të marrë, se sa të poshtër, dhe për këtë nuk duhen marrë asnjëherë seriozisht.
Ata mendojnë se opozita është pronë, leje ndërtimi apo tender, që ka nevojë patjetër për firmën e tyre, sepse vetëm kështu e konceptojnë politikën dhe atë që vjen prej saj.
Ndaj edhe mos u çudisni, kur të shikoni skena të neveritshme si ajo me atë trimin nga Shkodra, që i hakërrehej Rudina Hajdarit se përse ajo nuk e njihte tamam babain e vet, ashtu si ai vetë.
Në fakt është e vetmja gjë që u ka ngelur për të bërë, pas një serie të pashembullt revolucionesh të premtuara, të cilat, ose nuk kanë shpërthyer kurrë, ose kanë ngrënë bijtë e vet.
Është një reagim i ngjashëm me ato bishat e uritura, të cilat në ruajtje të territorit, që u zvogëlohet përditë, shenjojnë duke përmjerrur hapësirën e tyre, ku nuk duhet të shkelin të tjerët.
Në shqip mund të thuhet edhe “tokë e xanun”.





