Prej disa ditësh po punohet për zëvendësimin e tubacionit të furnizimit dhe shpërndarjes drejt depos nr.1 të qytetit, me qëllim optimizimin e rrjetit dhe përshtatjen e tij me prurjet e ujësjellësit të ri.

Punimet për zëvendësimin e rrjetit të vjetër janë pjesë e projektit të qeverisë shqiptare me kredi të Bankës Botërore që përfshin të gjithë investimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri, optimizimin e rrjetit, instalimin e matësve të ujit si dhe ndërhyrjen në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të ndotura.

Më herët janë kryer punime të ngjashme për instalimin në rrjet që furnizon depon nr. 2 dhe tani po punohet për shtrirjen e rrjetit të ri drejt depos nr.1 dhe asaj nr.4. Punimet po kryhen nga firma kontraktore që ka futuar tenderin për kryerjen e punimeve dhe konkretisht nga Mauzoleumi i Dëshmorëve deri te depo nr.1 në Kodër Vilë do të shtrohet tubacion 500 mm me gjatësi totale 600 metër linear. 

Më herët janë bërë punime të tilla të ngjashme për ndërrimin e rrjetit të vjetër dhe lidhjen me depot që furnizojnë me ujë qytetin e Durrësit në mënyrë që të garantohet furnizim normal me ujë të pijshëm për të gjitha lagjet e qytetit.

Kryeinxhinieri i UKD, Gerald Dautaj shprehet se instalimi dhe lidhja e rrjetit të ri të ujësjellësit me depot që furnizojnë qytetin do të sjellë përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me ujë. Aktualisht një pjesë e qytetit i ka nxjerrë jashtë përdorimit depozitat duke qenë se është rritur orari i furnizimit me ujë.