Pas gati 75 vitesh që kaloi pranë të shoqit, zemra e Sulltane Gugashit nuk duroi më shumë se 72 orë larg Shabanit të saj. 90-vjeçarja u nda nga jeta gjatë ditës së martë, për të shkuar pranë bashkëshortit me të cilin kaloi 7 dekada jetë.

Shaban e Sulltane Gugashi, ky çift rekordmen përsa i përket kohëzgjatjes së martesës së tyre, bekuar me 4 famijë, u nda nga jeta me 3 ditë diferencë njëri nga tjetri. Një simbolikë e bukur dashurie është edhe vdekja dhe çifti Gugashi provoi se as vdekja nuk mund t’i mbante larg njëri-tjetrit.

Të njohur në Fabrikën e Makaronave, në Durrës, ku punonin të dy, ata u lidhën dhe u martuan në vitin e largët 1946. Sulltania ishte bijë nga familja Çyrbja, ndërsa Shabani, i lindur në Shkup, më 14 qershor 1919, rridhte nga një familje gjakovare.

Çifti u nderua në shkurt të vitit 2016 me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, dhënë nga shoqata “Durrësi”.

Varrimi i Sulltane Gugashit bëhet sot në orën 14.00 te varrezat e reja të Durrësit.