Pasoja të rënda ka lënë pas tërmeti i frikshëm i 21 shtatorit, që nxori në rrugë të madh e të vogël në qytetin e Durrësit dhe rrethinat e tij. Bilanci i dëmeve në banesa dhe biznese është rënduar, ndërkohë grupet e vlerësimit janë ende në terren për të llogaritur dëmet në çdo banesë të prekur.

82 banesa dhe një pallat i pabanueshëm, si dhe 111 banesa të dëmtuara rëndë janë dëmet e shkaktuara në Durrës dhe njësitë administrative nga tërmeti i së shtunës. Ndërkohë lista e banesave me dëmtime më të lehta është më e gjatë. Shifrat i bën të ditura për "DurrësLajm", burime zyrtare nga bashkia Durrës.

Në zonën e plazhit, në sektorin “Iliria” një pallat shumëkatësh i vitit 2010 u shpall një ditë më parë i pabanueshëm dhe iu vunë shiritat bllokues, pasi ka dëmtime të shumta strukturore.

Gjeografia e shpërndarjes së shtëpive të pabanueshme është e përqendruar kryesisht në 3 njësi administrative Manëz, Sukth dhe Katund i ri me respektivisht 27, 24 dhe 19 shtëpi. Dëme janë regjistruar edhe në Rrashbull ku janë 13 shtëpi të dëmtuara dhe në Ishëm 7 shtëpi.

Në terren janë 16 grupe vlerësimi në Durrës dhe 5 njësitë administrative, në përbërjen e secilit është një inxhinier ndërtimi. Këto grupe po bëjnë vlerësimin në çdo banesë të prekur nga tërmeti për të dalë më pas me një faturë përfundimtare të dëmeve në banesa e biznese.

Në një kohë që Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi një fond prej 10 milionë lekësh për dëmet nga tërmeti, ndërsa Këshilli Bashkiak i Tiranës dhuroi 20 milionë lekë, nuk dihet ende një vlerë e përafërt e dëmit në të gjithë bashkinë.

Familjet e dëmtuara, një pjesë janë sistemuar tek të afërmit, ndërsa një pjesë tek Kavalishenca e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ku institucionet shtetërore dhe kompanitë private kanë dhuruar pako me ndihma ushqimore për t’u ardhur në ndihmë.

Ndërkohë, nëntoka e Durrësit nuk po gjen ende qetësi. Sizmiologët kanë paralajmëruar pasgoditje të shumta që do të shoqërojnë tërmetin e së shtunës dhe vetëm mbrëmjen e së martës dhe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës janë regjistruar 6 goditje me manjitudë 3.5, por edhe më të vogël.

Orët e para të mëngjesit të sotëm shumë banorë i kaluan zgjuar, pasi të gjithë i kanë ende të freskëta përjetimet e frikshme të pasdites së të shtunës, kur i gjithë qyteti u derdh në rrugë.

Të pabanueshme

Në njësinë administrative Ishëm   –   1

Në njësinë administrative Manëz  –   20

Në njësinë administrative Katund i ri   – 5

Në njësinë administrative Sukth      – 14

Në njësinë administrative Rrashbull   – 16

Në njësinë administrative nr.5    –   1 pallat

Në njësinë administrative nr.6     –   8

Në njësinë administrative nr.4    –    8

Në njësinë administrative nr.3   –     0

Në njësinë administrative nr.2   –     9

Në njësinë administrative nr.1    –    1

Të dëmtuara rëndë

Njesia administrative Sukth    –    24 familje

Njesia administrative Katund i Ri    –     19 familje

Njesia administrative Rrashbull       –     13 familje

Njesia administrative Ishem         –     7 familje

Njesia administrative Manez      –      27 familje

Njesia administrative nr.6        –          6 familje

Njesia administrative nr.2         –       5 familje

Njesia administrative nr.4         –       8 familje

Njesia administrative nr.3         –       2 familje

M.B.