Nuk ka pasur qetësi për banorët e Durrësit sërish gjatë orëve të para të mëngjesit, për shkak të lëkundjeve të vazhdueshme sizmike.

Sipas të dhënave nga IGJEUM, janë regjistruar 5 lëkundje sizmike, e para në orën 03:24 që ishte dhe më e forta dhe që zgjoi qytetarët, për të vazhduar më pas me katër të tjera përgjatë harkut kohor të një ore e gjysmë.

Tërmeti i parë ishte me magnitudë 3,8 ballë, i regjistruar në orën 03:24, me epiqendër 30 km në veri të Durrësit, pranë Kepit të Rodonit, me thellësi 37 km.

I dyti me magnitudë 3.1 ballë, për të vijuar më pas me magnitudë 3.2; 3.4 dhe 2.7 ballë ai i orës 05:01.

Ndërkohë, një tjetër lëkundje sizmike është regjistruar në orën 06:29 me magnitudë 2.7 ballë, por me epiqendër në Ballsh, 9 km në verilindje të tij.

Pas tërmetit të fuqishëm të së shtunës, sizmiologët kanë paralajmëruar për pasgoditje të vazhdueshme me intensitet të vogël që mund të zgjasin me javë të tëra.