Një pallat 10 katësh në Durrës, në stacionin Iliria, në lagjen nr.13 është rrethuar nga shiritat bllokues. Dëmet e mëdha që pallati ka pësuar nga dy lëkundjet e fuqishme të tërmetit të së shtunës janë vlerësuar nga inxhinierët e ndërtimit dhe në përfundim ata kanë arritur në konkluzionin se pallati nuk duhet të banohet përsa kohë nuk do të riparohet.
Të gjithë banorët e tij janë evakuuar, disa në shtëpitë e tyre në rrethet nga kanë ardhur, disa tek familjarët dhe disa në Kavalishencë.
Kreu i njësisë administrative nr.5, Erion Meka, bën të ditur për DurrësLajm, se pallati shumëkatësh i përfunduar në vitin 2010, ka nevojë për ndërhyrje të plota, pasi ka dëmtime të shumta strukturore në faqet anësore.
Objekti është i pabanueshëm përkohësisht dhe fondi për riparimin e dëmeve të shkaktuara mund të akordohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur Meka, i cili thekson se një ditë më parë specialistë të Fondit kanë parë projektin e pallatit dhe po bëjnë preventivin e dëmeve.
Një ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi fondin 10 milionë lekë në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti, ndërsa Këshilli Bashkiak i Tiranës akordoi 20 milionë lekë ndihmë për qytetin bregdetar.





