Nga Gladiola Jorbus
Sabbatai Zevi ose Mesia i Ulqinit
Një nga historitë më interesante që kam dëgjuar gjatë vizitave të mia në Ulqin është pikërisht ajo e hebreut të internuar aty, Sabbatai Zevi. I pari që më njohu me këtë personazh ishte kushëriri im, njëherazi gazetari dhe shkrimtari i mirënjohur në Mal të Zi e më gjerë, Muzafer (Beljo) Çaushi.
Në qendër të Ulqinit ndodhet varri – tyrbe i Mesisë së rremë Sabbatai Zevi (Shabbetai Tzvi, Sabbatai Sevi), i cili kërcënoi autoritetin rabinik në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, para se të dëbohej nga Stambolli drejt Ulqinit nga sulltani, në vitin 1673.
Sabbatai Zevi e shpalli veten Mesia në 1648-n, në moshën 22-vjeçare. Ai u mbështet në një interpretim (të diskutueshëm) të Zoharit (një libër i misticizmit hebraik), sipas të cilit viti gjatë vitit 1648, njerëzit do të shihnin shëlbimin e popullit hebre.
Sabbatai arriti të entuziazmojë popullin hebraik kudo në Evropë, në mesin e shekullit XVII, duke gërshetuar sharmin e Mesias me misticizmin dhe iu premtoi atyre, rikthimin në Tokën e Shenjtë.
Nga ana tjetër, duke e shpallur veten Mesia, ai do të provokonte një skizmë të thellë brenda Judaizmit, midis atyre që do ta pranonin dhe atyre që do ta refuzonin atë.
Në qytetin e bukur të Ulqinit, ai iu besua kujdestarit të kalasë, i cili ripërtëriu katin e sipërm të Kullës së Balshajve për hir të tij. Mesia gdhendi në mure, dy yje të mëdhenj Davidi gjashtëcepësh, të quajtur ndryshe Magen David.
Aziz Mehmet Efendi, siç e quanin Ulqinakët, pasi u konvertua nga hebraizmi në islam i dha një dimension shpirtëror ardhjes së tij.
Emri Ulqini (në turqisht Ylgyn) u bë Alkum në përkufizimin e tij, si një aludim për melek alkum nga thëniet e Urta të Solomonit, 30:31 (… dhe mbreti me ushtrinë e tij). Mos ndoshta kjo do të thoshte se ai mbërriti atje me dëshirën e Zotit dhe jo me urdhrin e sulltanit, dhe se ai ishte në të vërtetë "mbreti i Ulqinit" ?!
Ai vdiq më 17 shtator 1676, vetëm dy muaj pasi ai ishte mbushur 50 vjeç. Akoma ekziston një legjendë që thotë se një djalë ra nga një fik dhe vdiq në vend, megjithëse Sabbatai e kishte paralajmëruar të mos ngjitej.
Duke ndjerë se ndoshta ai, Mesia, mund të ishte fajtor për vdekjen e djalit, Sabbatai iu lut Zotit që ta ringjallte djalin dhe t’ia merrte pikërisht atijjetën në vend të vogëlushit. Dhe lutja u pranua nga Mëshirëploti.
Në fillim të shekullit XX, anëtarët e komunitetit donme (hebrenj të cilët ishin konvertuar në Islam) nga Selaniku (një qendër e rëndësishme hebraike dhe Kabaliste në ish-Perandorinë Otomane ose në Geqinë e sotme) shkonin shpesh për të bërë pelegrinazh në varrin e tij.
Shumë shkrimtarë të shquar, ndërmjet të cilëve dhe Isaac Bashevis Singer, fitues i çmimit Nobel në letërsi, në vitin 1978 ka shkruar mbi kultin e Sabbatai Zevi-t dhe ndikimin e tij te pasuesit që e konsideronin si Mesia i vetëshpallur, në romanin “Satanai në Gorai”, botuar më 1955.