Rritet ndjeshëm numri i banesave të dëmtuara nga lëkundjet sizmike të së shtunës në bashkinë e Shijakut. Deri më tani, nga konstatimet në terren të 4 grupeve të inspektimit dhe atyre të verifikimit numri i banesave me problematika të ndryshme ka shkuar më shumë se 300. Ndërkohë, banesa të pabanueshme janë rreth 20 dhe ndodhen kryesisht në njësitë administrative të bashkisë së Shijakut.

Shifrat bëhen të ditura nga kryebashkiaku Elton Arbana, i cili thotë se një tjetër familje nga fshati Koxhas, i njësisë administrative Xhafzotaj është sistemuar në Kavalishencë.

Të gjithë anëtarët e familjes Beja janë dërguar në Kavalishencën e Durrësit, pasi shtëpia e tyre ishte dëmtuar ndjeshëm dhe mund të rrezikonte jetën e banorëve, në rast të një lëkundjeje tjetër të fortë.

Së bashku me Durrësin, bashkia e Shijakut është një nga më të goditurat nga tërmetet 5.8 dhe 5.5 ballë të shkallës Rihter, të së shtunës.