Bashkia e Durrësit dhe të gjitha institucionet e tjera kanë marrë masat për të përballuar situatën e shkaktuar nga tërmeti në Durrës. Kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako deklaroi se do t'i vihet në ndihmë çdo qytetari.

“Bashkia e Durrësit, Prefektura e Qarkut si dhe çdo Njësi Administrative është hapur dhe në gatishmëri në rangun më të lartë drejtues për t'i ardhur në ndihmë çdo qytetari. Po marrim të gjitha masat e nevojshme që t'i përgjigjemi kësaj situate në mënyrë të menjëhershme. Jemi pranë çdo qytetari për të përballuar të gjithë bashkë këtë situatë të vështirë. Që nga sot po vijon me intensitet evidentimi i të gjitha dëmeve të shkaktuara për të pasur një panoramë të qartë, e cila do të shërbejë në ditët në vazhdim kur të fillojë puna për rikonstruksionet dhe riparimet e nevojshme.”

Gjatë gjithë natës dhe në mëngjes ndërmarrjet e bashkisë kanë punuar për pastrimin e mbetjeve inerte si pasojë e dëmtimeve të godinave të ndryshme. Të gjithë qytetarët e Durrësit banesat e të cilëve kanë pësuar dëme, duhet t'i drejtohen njësive administrative përkatëse që regjistrojnë gjithçka dhe më pas grupet e posaçme të ngritura tashmë do të kryejnë verifikimin fizik të dëmtimeve.

Më pas do të merren edhe masat përkatëse për eliminimin tërësor të të gjitha pasojave të shkaktuara nga ky tërmet. Bashkia e Durrësit ka vënë në dispozicion të banorëve shumë njësi ku ata mund të qëndrojnë. Shtabet e emergjencës ku mund të drejtohen qytetarët e prekur nga tërmeti janë:

1. Kavalishenca e Rendit (Plepa Durres)
2. Kavalishenca e Ushtrise ( Plepa Durres)
3. Çadrat e ngritura te Stadiumi Niko Dovana
4. Qendra ditore per femije me aftesi te kufizuara prane UKD Durres
5. Qendra ditore multifunksionale Nishtulla
6. Qendra ditore e te moshuarve tek ISH URT, lagjia 17
7. Qendra ditore e shtepise se Foshnjes te lagjia nr.8

Për çdo emergjencë ju lutem njoftoni 112

Policia e Shtetit 129
Policia Bashkiake +052 2322 50

Zjarrfikësja 128

Urgjenca 127

Bashkia thotë se "Jemi në gadishmëri të plotë për këdo që ka nevojë".