“15 banesa të pabanueshme në njësitë administrative të bashkisë së Shijakut dhe 95 banesa me dëmtime të lehta. Ky është bilanci paraprak i dëmeve që kanë shkaktuar lëkundjet sizmike në bashkinë e Shijakut”,– bën të ditur kryetari i bashkisë Elton Arbana.
Për DurrësLajm, Arbana thekson se janë marrë të gjitha masat dhe në bashkëpunim edhe me deputetët e zonës janë sistemuar banorët e shtëpive që janë kthyer në të pabanueshme. Këto banesa ndodhen në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.
Në njësinë administrative të Maminasit janë ngritur 3 çadra me kapacitet 24 persona, ku janë sistemuar 3 familje, të cilat edhe për shkak të gjësë së gjallë që kanë nuk duan të largohen nga banesat.
Ndërkohë, një familje me 8 anëtarë është sistemuar pranë Kavaleshencës Durrës.
Në Gjepalaj, në ambientet e një shkolle, që nuk frekuentohet nga nxënësit, është ngritur një qendër emergjence ku planifikohet të sistemohen banorët e shtëpive që janë kthyer në të pabanueshme.
Sipas kryebashkiakut Arbana, janë ngritur grupet e punës që po bëjnë konstatimet dhe verifikimet në terren tek të gjitha banesat e dëmtuara apo të krisura.





