Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri komenton për herë të parë vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda që e ka shpallur fajtor për një nga tre akuzat, atë të “shpërdorimit të detyrës”.
Tahiri e quajti vendimin qesharak pasi rrëzoi akuzat për trafik droge dhe pjesëmarrje në grupin kriminal, por e dënoi për “shpërdorim detyre”, vetëm sepse Habilajt, kushërinjtë e tij, i kanë përdorur emrin.
Ish-ministri Tahiri njoftoi gazetarët për një tjetër takim ditën e nesërme pasi “të përtyp edhe njëherë estradën që ndodhi sot në gjykatë”.
Pjesë nga deklarata e Tahirit në përfundim të gjyqit:
Më rezervoni të drejtën ta përtyp njëherë këtë estradë që ndodhi. Gjykata më tha që nuk jam kriminel, nuk jam pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. S’qaj dot, por nesër them të ndajmë bashkë ca mendime. Mu duk një gjë e tipit “je i pafajshëm por s’kemi këllqe të ta themi”.
Ç’a t’ju them, dy vjet jam emërtuar si pjesë e një grupi kriminal që ka bërë trafik droge, gjykata thotë sot që jo nuk je pjesë e grupi kriminal, nuk ke bërë trafik droge, por me që kushërintjë e mi kanë bërë trafik, unë kam shpërdoruar detyrën.
Prisni deri nesër, mua më duhet kohë ta kuptoj këtë që ndodhi se….Më la edhe mua pa fjalë se si gjykata më quajti mua përgjegjës për shpërdorim detyre se kushërinjtë kanë përdorur emrin tim. Edhe një herë, të presim. Gjykata tha që nuk je trafikant, nuk je kriminel, nuk je pjesë e grupit të strukturuar kriminal por meqë disa kushërinj kanë përdorur emrin tim, kam shpërdoruar detyrën. Është qesharake. Do ishte më burrash të më kishin dënuar për trafik droge. Për gjithë kushërinjtë idiotë që kemi në fis, ça duhet të bëj unë tani.





