Ujësjellës Kanalizime Durrës prej ditësh po punon për zëvendësimin e tubacionit të furnizimit dhe shpërndarjes drejt depos nr. 1 të qytetit, me qëllim optimizimin e rrjetit dhe përshtatjen e tij me prurjet e ujësjellësit të ri.

Punimet për zëvendësimin e rrjetit të vjetër janë pjesë e projektit të Qeverisë Shqiptare me kredi të Bankës Botërore që përfshin të gjithë investimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri, optimizimin e rrjetit, instalimin e matësve të ujit si dhe ndërhyrjen në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të ndotura.

UKD ka kryer më parë punime të tilla të ngjashme për ndërrimin e rrjetit të vjetër dhe lidhjen me depot që furnizojnë me ujë qytetin e Durrësit në mënyrë që të garantohet furnizim normal me ujë të pijshëm për të gjitha lagjet e qytetit.