Komisioni i Medias ka rrëzuar me shumicë votash dekretin e Presidentit Meta mbi rishikimin e ligjit mbi Akademinë e Shkencave.

Vendimi u mor nga anëtarët e Komisionit mesditën e sotme (11 shtator). E vetmja votë pro dekretit të Metës për rishqyrtimin e projektligjit për Akademinë e Shkencave ishte ajo e kryetares së Komisionit të Medias, Fatjona Dhimitri.

Dhimitri u shpreh haptazi kundër këtij projektligji duke shtruar pyetjen: Prapë do të vazhdojë politika të drejtojë shkencën?!

Mbledhja nuk kaloi pa debate mes deputetëve. Fidel Ylli duke iu drejtuar kryetares së komisionit kërkoi që të tregohet më shumë kujdes në diskutimet mbi akademikët.

Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Akademinë e Shkencave më 9 gusht. Kreu i shtetit ka argumentuar se projekti bie ndesh me parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, cenon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, cenon kompetencat e Presidentit të Republikës dhe nuk është në harmoni me kuadrin ligjor ekzistues në Republikën e Shqipërisë.