Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti delegacionin e Komisionit të Venecias, i cili ndodhet në Tiranë me kërkesë të Kuvendit të Shqipërisë, në lidhje me çështjen e shkarkimit të Presidentit të Republikës.
Ruçi shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e shpejtë dhe konstruktiv të Komisionit të Venecias me Kuvendin e Shqipërisë.
Kuvendi i Shqipërisë i është drejtuar Komisionit të Venecias për disa reforma të rëndësishme ose çështje me interes të veçantë, si reforma në drejtësi, vettingu i funksionarëve të lartë, procedurat në lidhje me shkarkimin e Presidentit të Republikës, ligjin për pronësinë si edhe nismën legjislative të zgjedhësve.
Gjatë takimit, Ruçi vlerësoi gadishmërinë e angazhgimit të Komisionit të Venecias, megjithë kohën e shkurtër të adresimit të kërkesave; seriozitetin e vizitave të ekspertëve të Komisionit në Shqipëri si edhe cilësinë e lartë të raporteve paraprake dhe përfundimtare të opinionit të Komisionit.
Kuvendi i Shqipërisë ka përfituar edhe nga opinionet që Komisioni ka adresuar për vende e tjera anëtare të Këshillit të Europës, ndërsa bashkëbisedoi me anëtarët edhe për disa aspekte të situatës politike në Shqipëri.
Më herët delegacioni i Venecias pati takime me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, deputetët e opozitës jashtë Kuvendit Oerd Bylykbashi dhe Klajda Gjosha si dhe me kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës në Kuvend, Rudina Hajdarin, Nimet Musain, Adriatik Alimadhin dhe deputetë anëtarë të këtyre grupeve.





