Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD) prej dy ditësh po punon për zëvendësimin e tubacionit të furnizimit dhe shpërndarjes drejt depos nr. 2 të qytetit, me qëllim optimizimin e rrjetit dhe përshtatjen e tij me prurjet e ujësjellësit të ri. 

Për shkak të punimeve, lagjet nr. 7, 8 dhe 10, gjatë ditës së hënë dhe të martë (dt 9-10 shtator) nuk janë furnizuar me ujë të pijshëm. Furnizimi i lagjeve në fjalë me ujë të pijshëm do të rifillojë normalisht mëngjesin e së mërkurës, dt. 11 shtator, ndërkohë që UKD ka shfrytëzuar këtë moment për kryerjen e punimeve duke qenë se OST ka stakuar energjinë elektrike në rajonin Laç-Fushë Kuqe, ku stacioni i pompave nuk furnizohet me energji gjatë ditës së sotme nga ora 08.00-18.00.

Punimet për zëvendësimin e rrjetit të vjetër janë pjesë e projektit të Bankës Botërore që përfshin të gjithë investimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri, optimizimin e rrjetit, instalimin e matësve të ujit si dhe ndërhyrjen në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të ndotura.

UKD ka kryer më parë punime të tilla të ngjashme për ndërrimin e rrjetit të vjetër dhe lidhjen me depot që furnizojnë me ujë qytetin e Durrësit.