Gjysma e dytë e shtatorit dhe muajt në vazhdim do të jenë një periudhë e ngarkuar pune për Partinë Socialiste, e cila do të zhvillojë zgjedhjet në të gjitha strukturat e saj.

Në koordinim me programin e punës të hartuar nga kryesia e PS-së, dega lokale në Durrës ka nisur zhvillimin e mbledhjeve të asambleve në njësitë administrative dhe rajonet. Nga 16 shtatori deri më 10 nëntor do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarët dhe sekretarët e 324 organizatave socialiste në Durrës.

Sekretari organizativ, Arben Isaku, bën të ditur për DurrësLajm se në një pjesë të organizatave mund të rikonfirmohen në detyrë kryetarët dhe sekretarët aktualë, në të tjera mund të zgjidhen emra të rinj, kjo edhe në varësi të punës dhe rezultateve të arritura nga secili prej tyre, pas analizës që dega lokale i ka bërë rezultatit të 30 qershorit.

Pas përmbylljes së zgjedhjes së drejtuesve të organizatave deri në dhjetëditëshin e parë të nëntorit, fokusi do të përqendrohet tek gara për zgjedhjen e kryetarit të PS për bashkinë Durrës. Kandidaturat do të propozohen nga organizatat socialiste dhe më pas emrat dërgohen në kryesinë e PS-së, ku bëhet përzgjedhja e kandidatëve potencialë dhe më pas procesi i votimit me parimin “një anëtar, një votë”. Deri në datë 7 dhjetor, PS-ja e Durrësit duhet të ketë zgjedhur kryetarin e saj, ku mund të rikonfirmohet në detyrë kryetari aktual Luan Zaza apo të zgjidhet një emër i ri për të drejtuar socialistët durrsakë.

Procesi zgjedhor brenda PS-së, mbyllet me mbajtjen e Kongresit në janar 2020. Në Kongresin e PS-së pritet të marrin pjesë 30 delegatë nga Durrësi, të cilët do të zgjidhen me votë nga rreth 4400 anëtarë të PS-së në qytetin bregdetar. Procesi zgjedhor në të gjithë qarkun do të mbikqyret nga sekretari i përgjithshëm i PS dhe koordinatori i qarqeve Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë, Taulant Balla.

Pak ditë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kryetari i PS-së Edi Rama njoftoi se në vjeshtë, në të gjitha strukturat e PS-së, do të mbaheshin zgjedhjet e brendshme.

Ndërkohë, të hënën, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, Rama u tërhoqi veshin disa deputetëve, për të cilët tha se nuk dinë ku bien zonat e tyre elektorale. Në mbledhje, kryeministri u ka kërkuar deputetëve angazhim maksimal në fushatën e zgjedhjeve të brendshme në Partinë Socialiste. Rama i ka kërcënuar se në rast se ata nuk e tregojnë këtë angazhim atëherë duhet ta konsiderojnë këtë urdhër të tij si kërkesë për dorëheqje nga grupi parlamentar, apo nga karriera parlamentare.

ZGJEDHJET NE PS

Organizatat socialiste
16 shtator – 10 nëntor
Kryetarët e PS në çdo bashki
17 nëntor – 7 dhjetor
Konstituimi i KS dhe Asambletë
8-20 dhjetor
Kongresi Zgjedhor Janar 2020

M.B.