Alfred Mullaraj u rizgjodh sot në krye të Këshillit të Qarkut Durrës për një mandat tjetër 4-vjeçar.

Duke i falëndëruar për besimin që i dhanë me votat e tyre, Mullaraj falëndëroi në mënyrë të veçantë udhëheqësin politik të PS-së në Durrës, mikun e tij Vangjush Dakon, që në bashkëpunim me Kryesinë i besuan për herë të dytë pozicionin e kryetarit të KQ.

Për përkrahjen nga ana e tyre, falënderoi edhe 8 deputetët e PS-së për qarkun Durrës, teksa theksoi se kanë qenë korrekt në punën e tyre në drejtim të qytetarëve.

“Kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyer me të trija bashkitë e qarkut tonë. Besoj që do vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen. Me këto kompetenca që kemi pasur, me mundësitë tona, do të tentojmë për të qenë akoma më korrektë”, tha Mullaraj.

Gjatë fjalës së tij, Mullaraj theksoi se janë mbi 10 projekte që kanë implementuar dhe do vazhdojnë të implemetojnë për qarkun e Durrësit, ndërsa pret nga qeveria që në të ardhmen, të vazhdojnë të investojnë në të gjitha drejtimet për qytetin e qarkun tonë.