Në intervistën e parë për “DurrësLajm” që kryebashkiakja Valbona Sako dha pas zgjedhjes së saj në krye të bashkisë së Durrësit, ajo deklaroi se do të ngrinte pranë institucionit të pushtetit vendor këshillin e biznesit, ekonomik dhe rinor.

Këto organe do të kenë rol këshillues dhe duket se këtë premtim Sako ka nisur ta vërë në zbatim.

Gjatë fushatës së saj elektorale, Sako u shoqërua në shumë nga takimet e saj nga grupe të rinjsh dhe njëkohësisht ajo pati premtuar se problematikat e të rinjve do të zinin një hapësirë të veçantë në programin e saj elektoral.

Dhe pikërisht me të rinjtë ajo ka nisur ngritjen e këshillit të parë.

“Rinia në fokus

Në takimin e radhës, i cili do të jetë tashmë i përmuajshëm, u diskutua krijimi i një “Këshilli Rinor”.

Më shumë aktivitete dhe përfshirje e rinisë në projektet zhvillimore të qytetit tonë”, shkruan ajo në “Facebook”.

Kryebashkiakja Sako tha për “DurrësLajm”, se këshilli rinor nuk është ngritur ende. Takimi i parë është në vazhdën e takimeve të zhvilluara gjatë fushatës elektorale dhe sipas saj, përfaqësuesit e të rinjve në këtë organ do të jenë specialistë në fusha të ndryshme, si: arsim, sport, art, kulturë etj.

Këshilli do të mblidhet një herë në muaj dhe do të ketë në përbërje të tij, të rinj që vazhdojnë studimet, por edhe të rinj e të reja të angazhuar profesionalisht.

M.B.