Kapitaneria e Durrësit i vjen në ndihmë një shtetasi italian, që kërkonte ndihmë të specializuar mjekësore pas një incidenti në një krocierë.

DurrësLajm mëson se në orën 22:40 të së premtes, Kapitaneria e Portit Durrës mori thirrjen për ndihmë nga krociera MSC Magnifica rreth 20 milje larg nga Durrësi,

Një pasagjer kishte pësuar traumë të rëndë në kokë nga përplasja dhe kërkohej zbarkimi i tij i menjëhershëm për ndihmë mjekësore të specializuar.

Menjëherë u lajmërua Kapiteni i Portit Taulant Allka dhe u vu ne gadishmëri doktori i portit dhe rimorkiatori Joni si dhe ju dha urdhër krocierës MSC Magnifica të afrohej në Radën e Durrësit.

Në orën 23:15, rimorkiatori Joni doli nga porti për ndihmë drejt krocierës, e cila po afrohej me shpejtësi 21 milje/orë.

U rakordua nga kapiteni i Portit, Allka, i cili ndodhej në bordin e rimorkiatorit pika e takimit midis 2 mjeteve afër fenerit të Pilotit.

Në orën 00:15, rimorkiatori u lidh në bordin e djathtë të krocieres dhe u bë e mundur kalimi në bord me barrelë portative i të sëmurit z.Matteo Sartori dhe të fejuarës që e shoqëronte znj.Sonia Marcato.

I sëmuri ndodhej në gjendje të rënduar dhe gjatë udhëtimit për në port u mbajt me maskë oksigjeni dhe serum.

Në orën 00:40, rimorkiatori mbërriti në port dhe i sëmuri u zhvendos në ambulancën e Spitalit të Durrësit, e cila e priste në kalatë. U njoftuan autoritetet përkatëse dhe shtetasi italian u nis drejt spitalit për t’i dhënë ndihmën e specializuar mjekësore.

Aktualisht ai ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.