Muaji shtator, përveçse shënon rikthimin nga pushimet shpesh shoqërohet edhe me ndryshime të stafit, në nivel drejtues apo specialist në institucione të ndryshme.
Kjo gjë ka ndodhur në Autoritetin Portual Durrës, ku sipas një njoftimi për shtyp bëhet e ditur se në pozicionin e Drejtorit Teknik është emëruar Rafaelo Rexho, në vend të ish-drejtorit Redi Kodra.
Qëndrimi i Kodrës në pozicion drejtues në një nga institucionet më të rëndësishme të Durrësit shkaktoi indinjatë te socialistët e qytetit bregdetar. Kodra është djali i ish-anëtarës së kryesisë së PD-së lokale dhe asaj qendrore, pediatres së njohur, Liri Dibra.
Për socialistët ishte e pakuptimtë që një eksponent i të djathtës të mbante post drejtues, pasi më parë ishin detyruar të "gëlltisnin" ish-figurat drejtuese të LSI-së në Durrës, të cilët u konvertuan në socialistë pas prishjes së kualicionit Rama-Meta.
Në vend të Redi Kodrës vjen Rafaelo Rexho, një i ri durrsak që është pjesë e Partisë Socialiste prej vitesh. Siç njofton vetë APD, Rexho është i diplomuar në Arkitekturë, zotëron tre gjuhë të huaja dhe me ekperiencë gati 9-vjeçare në fushën e Arkitekturës dhe Inxhinierisë Civile.
Tashmë Rexho do të drejtojë një prej shtatë drejtorive në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme Ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës.
"Ky ndryshim i bërë ka për qëllim arritjen e objektivave sa më të larta të veprimtarisë së APD-së dhe realizimit të projekteve të rëndësishme në vijim", thuhet në njoftimin për shtyp.





