(Mbi romanin “Pushkatimi” të autorit Shpend Topollaj)
Nga Gladiola Jorbus
Romani “Pushkatimi” i autorit nga Durrësi Shpend Topollaj është ndërtuar nga një tërësi episodesh që sjellin mjedise dhe personazhe të ndryshme si dhe reagimin e tyre, në kuadrin e prishjes së marrëdhënieve Shqipëri – Rusi. Në këtë roman mbizotëron pikëvështrimi i autorit i cili shfaqet me një veçori të spikatur: ai mbart diçka nga psikologjia e personazhit. Për të zbërthyer veprën e autorit Sh. Topollaj duhet të mbështetesh tek estetika realiste.
Kryepersonazhi Thoma Rafaeli ka vetëm një synim: të rishohë të bijën Helenën. Është e përbindshme të ndash një prind nga fëmija, nga mishi dhe gjaku i tij. Thuhet se personazhi shkrihet me autorin, kur pikëvështrimi i këtij të fundit sjell një mendim, një konstatim apo një dilemë të personazhit.
Meqenëse autori afrohet në mënyrë të dallueshme me opinionet e brendshme të heroit të vet, efekti i arritur është i qartë; përftohen dy gjendje emocionale me të njëjtën ngarkesë. Autori i nënshtrohet tërësisht pikëvështrimit të personazhit dhe shpreh atë që do të shprehte ai.
Dhe në rastet kur nuk zhvillohet dialog, autori ndërmerr përsipër të bëhet vetë interpret i shqetësimit të brendshëm, i ankthit, i dhembjes dhe i revoltës që përjeton heroi. Ne vëmë re dëshirën e autorit për t’i dhënë veprës së tij letrare statusin empirik, duke na parashtruar kushtet sociale të asaj periudhe kohore të përshkruar aty. Lev Tolstoij thoshte se art i vërtetë është ai që transmeton emocione dhe ndjenja të thjeshta. Kjo logjikë të arsyetuari e njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave mishërohet në dramacitetin e romanit “Pushkatimi”.
Sinteza e formave ligjërimore krijon një vizion me ngjyrime prekëse. Ndërthurja e kohëve të foljeve në planin gjuhësor, kthimi nga koha e shkuar në të tashmen, i jep rrëfimit nuanca sa dramatike, aq dhe kuptimplote.
Historia tragjike e familjes Rafaeli zbulohet përmes dialogëve të personazheve të cilët të krijojnë përshtypjen e dëshmitarëve okularë. Përmes tyre, ne ndërgjegjësohemi për vlerat, virtytet, aftësitë, talentin që i karakterizon ato. Dhe mbi të gjitha për dashurinë e çmuar që na përcjellin. Ky roman është një homazh kushtuar figurës së Thoma Rafaelit që u flijua për hir të dashurisë së pakufishme atërore. Malli përvëlues për Helenën e tij ishte më i fortë se çdo regjim totalitar, se çdo ideologji politike, ishte më i madh se distancat midis shteteve, kapërceu kufijtë kohorë duke mbërritur gjer në ditët tona.
Ligjet që kishin qëllim shkatërrimin e familjeve të shëndetshme e të lumtura nuk mund të ishin ligje. Siç thonin dikur latinët: “Lex malla, lex nulla”.
Rrëfimtari ynë i ndjek personazhet e tij në çdo hap, i rrëfen ato që sheh drejtpërdrejt dhe di më shumë se personazhet mbi të kaluarën e tyre, mbi impulset e brendshme apo reagimet e jashtme.
Autori – rrëfimtar e ka zhbiruar deri në detaje botën shpirtërore të heronjve të tij. Rrëfimtari është në dijeni të ngjarjeve, hollësive që mund të jenë të fshehta deri në momente të caktuara për personazhet e tjera.
Lokucionin latin dhe njëherazi vargun e famshëm tek ”Eneida” e Virgjilit: “Manibus date lilia plenis” – “Hidhni plot zambakë” – i cili gdhendej mbi varret e të rinjve, lexuesi mund t’ia përkushtojëme dashuri e respekt, atij njeriu të madh që humbi jetën për një dashuri të epërme.
Ky roman është një dëshmi më shumë, se autori Shpendi Topollaj tashmë mund të konsiderohet një figurë e konsoliduar e letrave shqipe.