Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, ka urdhëruar fillimin e hetimeve për efektivët që publikuan fotografinë e ish-policit, Santiago Malko, një ditë pas vrasjes së tij, më 27 gusht në Tiranë.

50 efektivë policie po verifikohen në këtë proces për akuzën e nxjerrjes së të dhënave që përbëjnë sekret hetimor.

Çështja është marrë në dorë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila në fund të këtij procesi do t'i drejtohet Prokurorisë me kallëzim penal për punonjësit përgjegjës.

Hetimi ka nisur pas konstatimit se fotografia e viktimës që u publikua në media është e njëjta me atë që ndodhet në sistemin TIMS.

Sipas ligjit, asnjë punonjës i rendit nuk mund të nxjerrë apo të transferojë të dhëna nga sistemi TIMS nëse nuk është i ngarkuar drejtpërdrejtë me hetimin e çështjes.

Për këtë arsye në verifikim janë të gjithë efektivat që kanë kërkuar të dhëna në sistem me emrin dhe foton e 26-vjeçarit të vrarë.

Ish-polici, Santiago Malko, u qëllua me breshëri plumbash në rrugën "Xhanfize Keko" teksa po dilte nga një lavazh me makinën e tij BMVV X5.