Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është thirrur për t’u paraqitur më datë 6 shtator në Komisionin Hetimor të ngritur për verifikimin e ligjshmërisë së vendimit të kreut të shtetit për të çdekretuar 30 qershorin si datë të paracaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.

Me shtatë vota pro dhe një kundër të deputetit Adriatik Alimadhi, Komisioni i posaçëm ka miratuar planin për hetimin e presidentit Ilir Meta. Hetimi për kreun e shtetit nëse ka shkelur kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, do të zgjasë deri më 8 tetor të vitit 2019. 

Plani hetimor është i ndarë në 9 pika, ku faza e parë është pikërisht seanca dëgjimore me presidentin Ilir Meta deri në krijimin e një raporti përfundimtar, i cili do t'i prezantohet në fund Kuvendit. Një pikë shumë e rëndësishme e këtyre punimeve do të jenë shqyrtimi i Opinionit të Komisionit të Venecias. Lidhur me këtë çështje, pritet të mbërrijë në Tiranë në datën 9 shtator një delegacion nga Komisioni i Venecias, vizitë e cila vjen pas kërkesës me 8 pyetje nga Kuvendi i Shqipërisë për shkarkimin nga Meta, si dhe do të zhvillojnë një sërë takimesh me përfaqësuesit e lartë politik, nga mazhoranca dhe opozita si dhe anëtarë të shoqërisë civile.