Temperaturat e larta që vijojnë të jenë prezente në vendin tonë po ndikojnë pozitivisht në industrinë e turizmit. Koha me diell dhe temperaturat optimale pritet të zgjasin për të paktën edhe një muaj sezonin turistik veror. Kjo fundjavë që lamë pas shënoi zyrtarisht fundin e sezonit veror, pasi përkon me fundin e muajit gusht, por pushuesit e huaj dhe kryesisht ata polak kanë prenotuar në masë përgjatë muajit shtator, duke bërë që sezoni turistik të mos përfundojë me gushtin.

Kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit për degën e Durrësit, Eduart Xhepa, shprehet se pushuesit nga Evropa Perëndimore dhe ajo Lindore vijojnë prenotimet në hotelet e bregdetit të Durrësit.

Risia e këtij sezoni ishte ardhja në masë e turistëve hungarezë, ukrainas dhe gjermanë, ndryshe nga vera e 2018-s që binin në sy norvergjezët e suedezët. Ndërsa turistët italianë dhe polakë mbeten të përvitshëm.

Teksa analizon sezonin turistik që po lëmë pas, Xhepa shprehet se krahas problematikave, operatorët ndihen të kënaqur pasi konsiderohet një sezon i suksesshëm për faktin se Shqipëria është vizituar masivisht nga pushues nga vende të ndryshme të botës.

Pastërtia, uji i pastër, furnizimi me ujë të bollshëm dhe fakti që s’ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, kanë qenë në favor të turizmit për verën 2019.

Ndërsa lidhur me infrastrukturën, Xhepa thekson se ka disa mangësi të cilat duhen përmirësuar dhe plotësuar në vazhdimësi.

Objektivi i operatorëve turistikë është që Shqipëria të mos ofrojë vetëm turizëm sezonal gjatë muajve të verës, por në të gjithë periudhën e vitit; në verë duke shfrytëzuar bregdetin, ndërsa në dimër turizmin malor.