Partia Demokratike ka denoncuar dy raste të ndërtimit të kateve shtesë, ose siç e cilëson opozita “pallat mbi pallat”, që po ndodhin në “zemër” të Tiranës me firmë të kryebashkiakut Erion Veliaj, dhe që pas tyre fshihen dy figura të njohura të Partisë Socialiste.
Nga selia blu, ish-deputetja Oriola Pampuri denoncoi me foto ndërtimin e një ose disa kateve shtesë te “Sky Tower”, në Tiranë, që sipas saj, është pronë e ish-deputetit socialist, Vladimir Kosta. Gjithashtu, ish-deputetja tha se në një tjetër ndërtesë në kryeqytet po ndërtohet pallat mbi pallat, pas të cilit fshihet deputeti i PS-së, Robert Bitri.
“Kjo është pamja në një nga ndërtesat më të larta të Tiranës, Sky Tower, pronë e ish-deputetit socialist Vladimir Kosta. Mbi këtë ndërtesë në zemër të kryeqytetit po hedh shtat një ose më shumë kate. Në këtë foto është një tjetër objekt banimi në kryeqytet ku po hedh shtat një tjetër pallat mbi pallat. Qytetarët e alarmuar kanë denoncuar deputetin e Partisë Socialiste, Robert Bitri që po ndërton një kat shtesë në këtë objekt banimi që jo vetëm shton betonin në Tiranë, por rrezikon jetën e qindra banorëve që jetojnë në këtë objekt”, tha Pampuri.





