Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako ka zhvilluar këtë të premte një takim me ambasadorin japonez në vendin tonë, Makoto Ito.
Ambasadori japonez Ito ka biseduar me kryebashkiaken Sako për një sërë temash lidhur me bashkëpunimin midis dy vendeve.
“Durrësi është një qytet mjaft i rëndësishëm. Unë vij e vizitoj shpesh dhe e kam promovuar Durrësin duke ftuar turistët japonezë ta vizitojnë qytetin tuaj. Jam i bindur që do të kemi një bashkëpunim mjaft të mirë, ku shumë shpejt do të fillojë një program grantesh si mbështetje e qeverisë japoneze e po kështu shpresojmë që të nxisim edhe biznesin japonez për të investuar në Durrës dhe besoj se për këtë do të kemi hapa konkretë së shpejti.”
Nga ana e saj, Sako e ka njohur ambasadorin japonez me historinë dhe mundësitë që ofron qyteti i Durrësit veçanërisht në sektorin e turizmit dhe atij ekonomik.
“E vlerësoj vizitën tuaj në Durrës dhe më vjen mirë që ky ishte një takim konkret për të thelluar bashkëpunimin. Synimi ynë është afrimi i sa më shumë bizneseve për të investuar në qytetin tonë. Durrësi është një qytet i rëndësishëm për ekonominë e vendit me portin më të madh dhe më me rëndësi në Shqipëri dhe rajon. Më vjen mirë që bashkëpunimi ynë do të sjellë projekte që i shërbejnë qytetit të Durrësit.”
Në fund të takimit, kryebashkiakja Sako i ka dhuruar ambasadorit japonez edhe një nga simbolet e qytetit, Torra Veneciane, e punuar në mënyrë artizanale.





