Partia Demokratike ka paraqitur këtë të enjte një tjetër fakt, që sipas saj, rrëzon çdo pretendim të Agim Kajmakut, se nuk është ai Jorgo Toto i arrestuar në Greqi në vitin 2003.
“Ky dokument, i marrë nga sistemi TIMS (dokumenti 1) është me foton e Jorgo Totos në pasaportën me nr. Z 0148497, me të cilën dhe është arrestuar. Dokumenti i dytë është po ashtu i nxjerrë nga sistemi TIMS tregon pasaportën me emrin Agim Kajmaku, por me të njëjtën foto si edhe Jorgo Toto në pasaportën me të cilën është arrestuar. Krahasimi i dy fotove që janë të të njëtit person, vëerteton se personi i kërkuar nën emrin Jorgo Toto, në fakt është Agim Kajmaku”, tha ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri.
Sipas PD-së, provat janë të pakontestueshme dhe Agim Kajmaku apo Jorgo Toto duhet të largohet menjëherë nga posti i kryebashkiakut të Vorës dhe të merret i pandehur për veprën e tij penale të kryer në shtetin grek dhe për veprën penale të mashtrimit me deklarimet e formularit të dekriminalizimit.
“Por ai nuk largohet sepse e mbron Edi Rama. Edi Rama hesht, njësoj si mafia me kodin e “Omerta” sepse Agim Kajmaku alias Jorgo Toto është simboli i kriminalizimit të qeverisjes nga organizata kriminale e Rilindjes.
Edi Rama e mbron sepse siç provuam dhe një ditë më parë, me Kajmakun dhe kajmakët e tjerë ai ndan paratë publike të grabitura shqiptarëve me tendera me miliona euro.
Prandaj Edi Rama, si njeriu që ka zgjedhur të qeverisë me krimin duhet larguar një orë e më parë”, përfundoi Strazimiri.





