"Beteja e opozitës për të zhbërë simbiozën midis politikës dhe krimit nuk ka qenë e lehtë."

Kështu shkruan në Facebook kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka pasi PD publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës në Greqi, ku thuhet se kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është arrestuar në vendin fqinj për veprën penale “përdorim dhe shpërndarje të parave të falsifikuara”.

Duka bën përgjegjës Ramën për situatën e krijuar në vendin tonë ndërsa thotë se ky vullnet politik, që ka sjellë përfshirjen e krimit në politikë-bërje, ndërpritet vetëm duke larguar kryeministrin aktual.

POSTIMI I PLOTË

Beteja e opozitës për të zhbërë simbiozën midis politikës dhe krimit nuk ka qenë e lehtë, megjithatë rezultatet e deritanishme të dekriminalizimit dëshmojnë drejtësinë e kauzës sonë. Rënia e njëpasnjëshme e drejtuesve të komiteteve ekzekutive, të shpallura në 30 qershor, shënon fundin e lojës vigani-shkurtabiqi me anëtarët e mazhorancës. Nuk janë shkurtabiqët, pra personazhet e rangjeve të ulëta të PS-së, që kanë përgjegjësi për situatën e krijuar në vend, por është vigani, ai që kryeson këtë forcë politike. Ky vullnet politik, që ka sjellë përfshirjen e krimit në politikë-bërje, ndërpritet vetëm duke larguar kryeminsitrin aktual, duke ngritur një qeveri kalimtare që të çojë vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat janë të domosdodhme për t’i dhënë legjitimitet Parlamentit dhe një hov të ri politikës shqiptare.