Që pas publikimit, një ditë më parë, të kostos prej 700 euro të një nate në hotel të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, rrjeti ka shpërthyer në akuza ndaj anëtares së kabinetit Rama. Si të mos mjaftonte Gjonaj, u shfaqën foto të ministrit Blendi Klosi që udhëtonte në Business Class në avion, apo të kryebashkiakut Erion Veliaj, që në një udhëtim jashtë shtetit, shfaqej me një çantë shpine me vlerë rreth 860 dollarë. Akuzës për çantën e shtrenjtë, Veliaj iu përgjigj me shpëtimin e një maceje që kishte hipur në pemë e s’po i mbushej mendja të zbriste, ku u angazhuan së bashku Policia Bashkiake dhe Zjarrfikësit!!!
3 akuza për shpenzime luksi brenda 24 orësh për Gjonaj, Klosi e Veliaj janë pak si tepër për Shqipërinë e varfër, ku një pjesë e madhe e popullsisë po ia mbath nga sytë këmbët pasi as mbijetesën nuk arrin ta sigurojë. Për hir të së vërtetës, ministrja Gjonaj reagoi pak më parë, me një postim të gjatë në rrjete sociale, ku mundohej të hidhte dritë dhe të sqaronte opinionin publik, se 700 euro nuk ishin për një natë, por për dy netë dhe se faturat e publikuara përmbanin shpenzimet e gjithë delegacionit dhe jo vetëm të sajat…
Ndërsa lexoja lajmet dhe memet e shumta me të cilat ishte përmbytur rrjeti këto orë, në mendje më erdhi një foto dhe një status i publikuar nga ish-deputetja e Durrësit, doktoresha e njohur Mira Kauri (poshtë fotoja e publikuar nga Kauri). Ishin deputetët e parë të një parlamenti pluralist 1992-1996, të dalë nga diktatura më e egër në Evropë. Udhëtonin të gjithë vetëm me një mjet për të marrë pjesë në punimet e parlamentit, kishin veshje mjaft modeste dhe nuk ishin aspak IN me tendencat e modës siç janë në ditët tona pinjollët e Rilindjes. Që në ditët e para të instalimit të Rilindjes, pas zgjedhjeve të vitit 2013, një nga gjërat që tërhiqte vëmendjen ishte veshja firmato dhe mjaft elegante e përfaqësuesve të saj, në të gjitha shkallët e pushtetit. Shpesh veshjet, këpucët apo aksesorët nuk përputheshin aspak me të ardhurat “modeste” që duhet të siguronin këta zyrtarë me rrogë shteti. Po kush pyet tek ne për këto vogëlsira!!!
Diferencat e Rilindasve në stilin e të veshurit u bënë shumë më evidente në muajt e fundit në Kuvendin e Shqipërisë, ku “zbarkuan” deputetët e dalë nga listat e partive, shumica e të cilëve kishte pak apo aspak lidhje me politikën. Nuk është çudi që në shtator, disa prej deputeteve të reja të rikthehen në sallën e Parlamentit me taka të holla dhe veshje firmato dhe jo sandale me platformë e fustane me të cilat shkon në dasmë. Politika të transformon dhe nëse di të bësh politikanin e servilin benefitet i përfiton shumë shpejt, sidomos në vendin tonë.
Rreth një vit më parë, një gazetar gjerman do t’i drejtohej kancelares Angela Merkel duke i thënë: Edhe 10 vite më parë jua kam parë veshur këtë xhaketë. Përgjigja e Merkelit, gruas më të fuqishme në Evropë, ishte epike: Detyra ime është t’i shërbej popullit gjerman, e jo të bëhem Topmodele.
Ndërsa në një shkrim të 4 viteve më parë, Bild shkruante se kancelarja prej 18 vitesh shfaqej me po të njëjtën tunikë, të veshur për herë të parë në vitin 1996 (tunika në foton poshtë). Në shkrim theksohej se kancelarja e ekonomisë më të fuqishme në Evropë i blinte vetë veshjet me të cilat paraqitet në evente dhe aktivitete zyrtare, prandaj dhe shfaqet shpesh me të njëjtat rroba. Jo rrallë herë, mediat britanike kanë publikuar foto të Dukeshës Kate Middleton me të njëjtën veshje në vite të ndryshme. Madje edhe në dasmën e Harry dhe Meghan Markle, ajo u shfaq me një veshje që e kishte mbajtur dy vite më parë.
Këto krahasime mund të duken paksa utopike me paradën e veshjeve dhe aksesorëve të deputetëve dhe ministrave tanë. Përsa kohë nuk ekziston Vettingu i politikanëve, Topmodelet/ët shqiptarë në politikë do të vazhdojnë të na tundin para syve morinë e veshjeve nga koleksionet e modës dhe trendet më të fundit. Shtatori është në prag dhe fotografët do të sjellin për publikun që tregon mjaft interes për lajme që kanë të bëjnë me veshje-zhveshjen e politikanëve, fotot më të freskëta nga jashtë Kuvendit nga mbërritja triumfale e përfaqësuesve të popullit.
E si për të mbetur tek akuzat për shpenzime të shfrenuara, desha të kujtoj këtu 16 korrikun e këtij viti, kur ministri atëhershëm i Ekologjisë në Francë, François de Rugy, dha dorëheqjen pas akuzave për shpenzime luksi dhe jetesën e shtrenjtë. Që një gjë e tillë të ndodhë në Shqipërinë e varfër duket ende mjaft larg. Që drejtësia e re të nisë të godasë këto raste duket ende mjaft larg, megjithëse Ambasada Amerikane nuk nguron herë pas here të na kujtojë se si do të funksionojnë SPAK apo BKH.
“Në shqip ju thoni: “Peshku i madh e ha të voglin”. Për një herë të vetme në Shqipëri, le të hamë peshkun e madh”– deklaronte me një shqipe të çalë ish-ambasadori Donald Lu, më 7 nëntor 2017.
Edhe pak muaj dhe nëntori 2019 na troket në derë. Ndoshta deri atëherë ndonjë cironkë mund të ketë mbetur në grep gabimisht! Për shpenzimet e peshqve të mëdhenj do të vazhdojmë akoma ne të paguajmë…
M.B.