Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, di si të zgjidhë problemet dhe hallet e ndryshme që kanë banorët e kryeqytetit, cilatdo qofshin ato. Këtë të diel, ai ka shpërndarë disa foto të policëve të tij bashkiakë dhe të forcave zjarrfikëse, teksa përcjell lajmin se ata kanë shpëtuar një mace në pemë, që i kishte ikur të zonjës.

Kotelja, që Veliaj i thotë me përkëdheli “o xhan”, kishte hipur lart në pemë dhe e frikësuar nuk mund të zbriste dot në tokë. Por në ndihmë i erdhën menjëherë ekipi i Policisë Bashkiake dhe zjarrfikësit e Tiranës, që u angazhuan maksimalisht për t’ia kthyer të zonjës.

"Po si hipe aq lart o xhan 
Fill pas sinjalizimit, ekipi i Policisë Bashkiake dhe zjarrfikësit e Tiranës kthyen kotelen që kish mbetur në pemë, tek e zonja", shkruan ai. 

Megjithëse ditën e sotme është fotografuar në aeroportin e Romës me një çantë shpine që kushton plot 869 dollarë, e cila ka filluar të bëjë xhiron nëpër rrjet e të shpërndahet masivisht, Veliaj nuk lë hapësira të mundshme për të dhënë shpjegime rreth shpenzimeve tejet luksoze që krijojnë një impakt të madh te publiku, por nxiton të shpërndajë postime që përbëjnë lajme lemonadë.

Tirana dhe e gjithë Shqipëria do të kishin më pak probleme dhe halle me rëndësi jetike, nëse politikanët do të angazhoheshin direkt pas sinjalizimeve për t’ia zgjidhur ato dhe për t’i ndihmuar të ecin përpara, ashtu si në këtë rast, që mund edhe të zgjidhej vetë pasi të kalonin disa minuta e macja të zbriste vetë poshtë…