Në vazhdën e publikimeve të qëndrimit të aktorëve pro ndërtimit të një teatri të ri dhe shembjes së Teatrit Kombëtar ekzistues, kryeministri Edi Rama listoi edhe qëndrimin e Ilire Vincës, aktore dhe regjisore, me një sërë produksionesh të suksesshme dhe anëtare e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Rama publikoi në Facebook një qëndrim të aktores kosovare, ku shprehej: " Po të kishte mundësi të ndërtohej një teatër i ri në vendin ekzistues do të ishte mrekulli. Teatri është zhvilluar shumë në vendet tjera për nga ana teknike, çka iu mundëson artistëve të sjellin në jetë kreativitetin e tyre, madje edhe i frymëzon për gjetje të reja. Përveç kësaj, një teatër i ri do të krijonte mundësi edhe teknike për punëtorët e teatrit dhe organizimin e shfaqjeve. Nga ana tjetër, edhe për audiencën do të ishte një freski. Uroj të bëhet sa më shpejt!"

Menjëherë pas këtij postimi ka reaguar Vinca përmes një komenti poshtë postimit të Ramës, ku mohon të jetë shprehur ndonjëherë për Teatrin Kombëtar, teksa shton se është hera e dytë që keqkuptohet për këtë çështje.

Pas kësaj ka replikuar Rama, ku teksa përpiqet të bindë aktoren se ky është një citim i shkëputur nga një deklaratë e saj e bërë me 27 qershor nuk nguron edhe ti kërkojë ndjesë për publikimin nëse regjisorja e njohur ka ndryshuar qëndrim për këtë çështje dhe nuk ndan më këtë opinion.