Kryeministri Edi Rama ka cituar një tjetër artiste, e cila shprehet se Shqipëria duhet të ketë një Teatër Kombëtar të ri. Përmes një postimi në “Facebook”, Rama ka publikuar fjalën e artistes Suela Konjari, e cila shprehet se ndërtimi i një teatri të ri është mbi bindjet partiake. Artistja ka bërë thirrje që si politika shqiptare dhe artistët e tjerë që janë kundër shembjes së teatrit aktual të arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët.

Postimi i Ramës:

Suela Konjari i përket gjeneratës që doli në skenë në vitet e vështira të ndryshimit të sistemeve dhe spikati me rolet e saj përpara publikut të Teatrit Kombëtar. Në çështjen e shumëdebatuar të godinës së teatrit, ajo ndan të njëjtin opinion me shumicën dërrmuese të komunitetit teatror

SUELA KONJARI:

Kur mbaron një shfaqje teatri, melodia e parë që vjen për aktorin në skenë janë duartrokitjet e publikut. Me këtë dua të them, ju ftoj të gjithëve, veten time të parën, ju dhe gjithë kolegët e mi, edhe specialistët, që t’i tejkalojnë bindjet partiake, teatri është mbi partitë. Shpresoj shumë dhe do të dëshiroja që të arrihet një gjuhë e përbashkët sepse çelësi sekret për t’i zgjidhur problemet në këtë botë kaq të ndërlikuar ku jetojmë, është thjesht dashuria, ta dëgjojmë dhe besojmë njëri-tjetrin. Teatri na jep mundësinë që ta duam njëri-tjetrin dhe ta besojmë. Shpresoj që të arrijmë më të mirën e mundshme.